Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka deklaruar se gjatë këtij viti në Kosovë janë inspektuar mbi 8 mijë biznese dhe lokacione, ndërsa ka paralajmëruar edhe një fushatë vetëdijesuese për rritjen e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës.
Duke folur për vdekjen e një punëtori 54-vjeçar në një objekt ndërtimi, Hoti shprehu keqardhje për rastin tragjik dhe bëri të ditur se Inspektorati është duke përgatitur raportin për rrethanat e ngjarjes.
Ai tha se, krahas inspektimeve, nevojitet edhe vetëdijesimi i bizneseve dhe punëtorëve për respektimin e masave të sigurisë në punë.
“Kemi ndërmarrë disa masa brenda këtij viti. Përveç masave që kemi ndërmarrë, kemi inspektuar mbi tetë mijë biznese apo lokacione në Kosovë këtë vit. Unë shpreh keqardhje për humbjen tragjike të 54-vjeçarit para një jave. Siç jam njoftuar, është ende duke u përgatitur një raport nga Inspektorati dhe ka qenë një ndërtim i sapofilluar. Rasti ka ndodhur nga kati përdhes në bodrum. E njëjta kompani është inspektuar disa herë, por jo kjo pjesë e ndërtimit, pasi sapo ka filluar…Çka duhet të ndodhë është një fushatë vetëdijesuese për bizneset dhe punëtorët. Bizneset duhet t’i plotësojnë të gjitha masat për siguri dhe shëndet në punë, por edhe punëtorët, të cilët nuk janë pak dhe për të cilët bizneset ankohen se nuk po i plotësojnë këto masa që i kanë obligim”, tha ai.
Ndërkohë, duke folur për punëtorët kosovarë që jetojnë dhe punojnë në Slloveni, Hoti deklaroi se pala sllovene kishte kërkuar takim me institucionet e Kosovës për të diskutuar migrimin e rregullt të punëtorëve.
Sipas ministrit, diskutimet pritet të përfshijnë mundësitë për punësimin e rregullt në Slloveni të punëtorëve të kualifikuar që ndodhen në Kosovë dhe dëshirojnë të punojnë atje.
Ai u shpreh se nuk mund të komentojë deklaratat politike të kryeministrit slloven, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional për çështjet që lidhen me qytetarët kosovarë jashtë vendit.
“Në raport me punëtorët tanë që punojnë në Slloveni, natyrisht, nuk mund të jetë një qëndrim i vërtetë i tillë politik, por ne nuk mund të komentojmë deklarata politike që mund të bëjnë kryeministrat e ndryshëm. Ju e dini se sa qytetarë sot punojnë në Slloveni dhe nuk ka shumë kohë që Sllovenia ka kërkuar që të ketë një takim me ne dhe të promovojë mënyrën e migrimit të rregullt në Slloveni për punëtorët e aftë për punë që janë në Kosovë dhe duan të punojnë në Slloveni”, potencoi ai./KP