Ushtruesi i Detyrës së Kryeinspektorit të Punës, Vesel Zhinipotoku ka konfirmuar për KALLXO.com se Inspektorati i Punës po trajton rastin e vdekjes së një punëtori në vendin e punës, te termocentrali Kosova B.
Zhinipotoku ka thënë se më 27.02.2026 rreth orës 10:00 kanë pranuar informacionin nga punëdhënësi që ka ndodhur aksidenti në vend të punës e me fatalitet.
“Me të marrë informatën, inspektorët e punës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe aktualisht janë në trajtim të rastit” – ka konfirmuar ai.
Ai ka paralajmëruar detaje më të hollësishme sapo të mësohen të gjitha rrethanat e rastit.
“Sipas inspektorëve të punës, një vozitës i një kamioni i një kompanie nën-kontraktore, që kryen shërbime për KEK-un, duke lëvizur prapa e ka goditur të ndjerin” – ka thënë Zhinipotoku, i cili po ashtu shprehu ngushëllime për familjen dhe bashkëpunëtorët e viktimës.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) gjatë ditës ka njoftuar se një punëtor ka vdekur në vendin e punës, pas një incidenti të rënd.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për një punonjës 55-vjeçar.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), njofton me keqardhje të thellë se sot, në Termocentralin “Kosova B”, ka ndodhur një incident i rëndë, ku është përfshirë një mjet transportues kamion dhe një punonjës. Si pasojë e këtij incidenti, një punonjës mashkull kosovar 55-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda” – thuhet në njoftim./Kallxo.com