Në vazhdën e takimeve njohëse, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, priti sot në vizitë ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.
Me këtë rast, Orlando e uroi Mehajn për marrjen e detyrës duke shprehur vullnetin e tij për thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen nga pozitat respektive, si dhe duke konfirmuar mbështetjen për Ministrinë e Mbrojtjes për të realizuar synimet e saj bazuar në Marrëveshjen Bilaterale mes dy ministrive.
Në njoftimin e MM-së thuhet se Mehaj e ka falënderuar Orlandon për vizitën e tij dhe ka shprehur mirënjohjen për Italinë, në mbështetjen e ofruar Kosovës deri më tani në të gjitha fushat, duke theksuar rolin e saj në ndërtimin dhe arritjet e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Në fund, të dy u pajtuan që të intensifikohen aktivitetet me koordinim të ndërsjellë për implementimin e suksesshëm të Planit të bashkëpunimit bilateral në mes të ministrive dhe forcave të dy vendeve.