Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e parë (TM1) 2023.
Sipas ASK-së Indeksi i Kostos së Ndërtimit ka shënuar rritje për 3.3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2023 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (TM1 2022).
“Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rritje për 3.3% në TM1 2023, krahasuar me TM1 2022”, thuhet në raport.
Ndërsa, rritja kryesisht u vërejt te transporti 16.4%, makineritë 11.1%, kostot e tjera 10.1.%, pagat 2.8%, dhe materialet 2.4%.
Ndërkaq, Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë pati rënie për 1.3% në tremujorin e parë 2023, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022.
Sipas njoftimit të ASK-së, rënie më të madhe kishte: transporti 6.9%, materialet 1.4% dhe pagat 0.4%.
Ndërsa, rritje kishte te kostot e tjera 1.4%, makineritë 0.9% dhe energjia 0.5%.