Gjykata Speciale ka njoftuar se sot do të vazhdoj procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Sot sikurse edhe javën e kaluar do të vazhdohet me procesin e paraqitjes së provave, përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve.
Gjatë javës së kaluar për tri ditë radhazi, ka folur dëshmitarja e parë në rastin Thaçi dhe të tjerët. Seancat e saja kanë qenë të mbyllura për publikun.
Në informimin javor të Dhomave të Specializuara u tha se të gjitha gjykimet janë publike por gjykatësit në disa raste vendosin të kryerjen një pjesë të seancës në privat me qëllim të mbrojtjes së identitetit të dëshmitarit.
“Vendimi për t’i kryer seancat në seancë private për të mbrojtur dëshmitarët shqyrtohet me kujdes nga gjykatësit, rast pas rasti. Gjykatësit sigurohen që të ketë balancë midis nevojës për mbrojtje të dëshmitarëve dhe të drejtave të të akuzuarve. Për shembull, edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, avokatët e të akuzuarve përsëri kanë të drejtën t’i bëjnë pyetje dëshmitarit nga ana e tyre”, tha zëdhënësi Michael Doyle.