Ekipet e shpëtimit kanë punuar të premten që të arrijnë në fshatrat dhe qytetet në veri të Italisë, të cilat janë të bllokuara dhe nuk kanë as energji elektrike. Numri i të vdekurve nga përmbytjet ka arritur në 13, por disa të tjerë ende janë të zhdukur. Autoritetet kanë thënë se 20 lumenj kanë dalë nga shtrati në rajonin Emilia-Romagna, si pasojë e reshjeve, shkruan AP.
Më shumë se 13 mijë persona janë detyruar të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre si pasojë e përmbytjeve në veri të Italisë. Rajoni Emilia-Romagna ka vlerësuar se janë shkaktuar 1 miliardë euro dëme si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm. Mirëpo zyrtarët kanë thënë se humbjet do të jenë edhe më të mëdha për shkak të dëmeve në ferma, depo të drithërave dhe infrastrukturë.





