Në urën kryesore mbi Ibër në Mitrovicë është vërejtur një prani e shtuar e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Javën e kaluar ura u testua për qarkullim dhe punimet ndërtimore vazhduan, në formë lyerjeje dhe pastrimi.
Qytetarët e Mitrovicës Veriore dhe Jugore ndajnë mendime të ndryshme për hapjen e urës për qarkullimin e automjeteve.
“Çfarë hapje ure. Unë kam gjashtë fëmijë dhe dhjetë nipër e mbesa, çdo hapje, është çmenduri. Unë kam marrëdhënie të mira me shqiptarët matanë urës, por në asnjë mënyrë nuk jam pro hapjes së saj. Ajo është mur mbrojtës dhe beden për çdo gjë”, tha një qytetar
“Për çfarë është shteti i Serbisë, për atë jam edhe unë. Kujt i po i pengon ura, ne zbresim, ata vijnë këtu”, deklaroi një tjetër banor.
“Edhe unë i përkas pjesës veriore, jam refugjat në qytetin tim. Kam 25 vjet që jam në jug, shtëpia më është djegur në luftë, shpresoj që shpejt të hapet ura dhe të kthehemi në shtëpitë tona”, u shpreh një qytetar.
Nënkryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, thotë se propozimi për hapjen e urës është paraqitur nga Kuvendi Komunal i këtij qyteti një vit më parë dhe se ura duhet të bashkojë dhe jo të ndajë njerëzit.
“Ne bëmë një propozim që simboli që ndau komunitetet të fillojë të ketë funksionin e tij si urë që bashkon komunitetet. Duhet të dërgojmë një mesazh se është edhe në interes të komunitetit serb në veri që të hapet ura. Është një e drejtë universale. Na është dhënë garancia nga policia dhe ministria se do të mbrojnë çdo qytetar dhe se nuk do të ketë mundësi që ura të përdoret për konflikte e të ngjashme”, tha ai.
Sergjan Simonoviq nga “Qendra Humane” në Mitrovicë, thekson se pas hulumtimit të bërë nga kjo OJQ, shumica e qytetarëve serbë besojnë se ura kryesore në Ibër nuk duhet të jetë e hapur për trafik. Ai shton se hapja e urës nuk është problemi më i madh në veri të Kosovës.
Ndërkohë KFOR-i bëri të ditur se çdo vendim për hapjen e urës në Ibër duhet të merret ekskluzivisht përmes dialogut dhe se qëndrimi i tyre është i qartë, transparent dhe konsistent. KFOR më tutje njofton se është vazhdimisht prezent në urë dhe se kryen patrullime të rregullta.
Nga ana tjetër, në Qeverinë e Kosovës thonë se nuk shohin një arsye pse ura të mos hapet dhe se për datën e hapjes së urës për qarkullim do të vendosin ekspertët kompetentë.