Me direktivën e Aleksandar Vuçiqit dhe me presionin e Listës Serbe, serbët e Kosovës, të cilët kanë qenë duke punuar në institucionet e Republikës së Kosovës, kanë lëshuar pozitat e tyre.
Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit, ndërkohë nga institucionet e Republikës së Kosovës janë larguar edhe deputetët e Listës Serbe, katër kryetarë komunash, policë, gjyqtarë e shumë zyrtarë të tjerë.
Ndërkohë dorëheqjet janë duke vazhduar edhe sot.
Zyrtarë serbë të cilët kanë qenë të angazhuar në Ministrinë e Ekonomisë janë parë sot teksa dorëzojnë dorëheqjet e tyre në komunën veriore të Mitrovicës.
Siç mëson T7, dorëheqjen e kanë dorëzuar 18 persona, që kanë punuar në këtë ministri.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje që serbët të mos largohen nga institucionet, derisa nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë deklaruar se ikja nga institucionet nuk është zgjidhje, vendimi për dalje nga institucionet ka ardhur pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit rajonal të Policisë, pasi i njëjti s’ka zbatuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat ilegale.