Valentina Kastrati, 28 vjeçe shkruan në gazetën Workzeitung për pushimet verore në Kosovë dhe koronën, e cila e ka penguar shkuarjen më të shpeshtë atje
Gazeta Workzeitung e sindikatës Unia ka publikuar shkrimet e disa prej punonjëseve me prejardhje të huaj të kësaj sindikate lidhur me pushimet në vendet e tyre të prejardhjes. Ja çfarë shkruan Valentina Kastrati 28 vjeçe, udhëheqëse ekipi në Unia Fondin e Papunësisë, Unia, në Zollikofen, Bernë.
“Më duhet atmosfera e Kosovës në mënyrë që të jem mirë. Atmosfera atje ndryshon shumë nga e këtushmja, është shumë më e relaksuar. Fakti që nuk mundja të udhëtoja për shkak të koronës, më ka vështirësuar jetën time të përditshme këtu., përcjell albinfo.ch. Pastaj, gjatë kësaj kohe më vdiq gjyshja, dhe në përvjetorin e parë të vdekjes së gjyshes sime tjetër unë nuk mund të isha atje për shkak të bllokimit.
Unë zakonisht udhëtoj në Kosovë tri deri në pesë herë në vit. Një pjesë e familjes time jeton atje përfshirë kushërinjtë, me të cilët kam qenë e lidhur ngushtë që nga fëmijëria. Kur mbërrijmë atje ne gjithmonë themi: ‘Kosovë, ti je si një shkretëtirë, por gjithsesi na mungon shumë’. Për mua, ajo është një pjesë e atdheut, shtëpisë.





