Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i është përgjigjur Shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili e ka kritikuar Qeverinë Kurti për mosnënshkrimin e kontratës për blerjen e vaksinave anti-COVID.
Vitia e ka pyetur Tahirin, se pse nuk e nënshkroi Qeveria e kaluar ku ai ishte zëvendësministër këtë kontratë, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se ka pasur vonesa në procesin e negociatave për vaksina nga ana e Qeverisë së kaluar.
Vitia ka thënë se gjatë muajit maj procesi i vaksinimit ka filluar dhe nuk do të ndërpritet.
“Ju konstatuat që janë 45 ditë që kemi filluar si Qeveri dhe janë të drejta sugjerimet e juaja që të blejmë vaksina. Por ju keni qenë zëvendëskryeministër, për 10 muaj sa ishit pse nuk i bletë. Ka shumë vende që kanë filluar t’i blejnë vaksinat më herët se sa ne. E di saktë se ju jeni njoftuar shumë mirë me procesin e negociatave e dini shumë mirë edhe për këto vonesa që janë shkaktuar në procesine negociatave.
Po kam thënë shpejtë, por kam thënë në muajin maj. Gjatë majit kam thënë se do të fillojë procesi i vaksinimit i cili nuk do të ndalet. Ka pasë masa edhe shumë jokonvencionale që janë treguar të suksesshme. Të kërkohet që t’u falen bizneseve dënimet e shqiptuara, mendoj se është mesazh i gabuar që iu çohet mijëra bizneseve që kanë respektuar masat. Me 12 ditë të intervenimit nga rekomandimet e ekspertëve kemi zbritur shifrat e të infektuarve në aq sa janë sot”, u shpreh ndër të tjera Vitia.