Programi i UNICEF-it në Kosovë ka bërë të ditur se edhe 76 mijë e 800 doza shtesë të vaksinës antiCOVID-19, pritet të arrijnë në Kosovë deri në muajin maj.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të programit të UNICEF-it në Kosovë.
“76,800 doza shtesë të vaksinës COVID19 do të arrijnë në Kosovë deri në maj 2021 përmes COVAX. Ne nuk jemi të sigurt, derisa të gjithë të jenë të sigurt! Bashkë ia dalim! #Vaksinohu”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se të dielën në Kosovë kanë arritur 24 mijë dozat e para të vaksinës antiCOVID, dhe tashmë ka nisur procesi i vaksinimit.
Vaksina e kompanisë britanike AstraZeneca, që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, thuhet se është 76 për qind efektive kundër sëmundjes COVID-19.
Bashkimi Evropian po ashtu ka premtuar se do të sjellë në Kosovë vaksina kundër sëmundjes COVID-19. Kosova është vendi i fundit në rajon që do të nisë fushatën e imunizimit të popullsisë kundër coronavirusit. /Telegrafi/