Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren është nderuar me Çertifikatën e Cilësisë nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë dhe Agjencia Kosovare për Akreditim, si njohje për arritjet e tij të spikatura në përmbushjen e standardeve të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.
Ky vlerësim iu dorëzua gjatë punimeve të Konferencës së 3-të të Sigurimit të Cilësisë, një ngjarje madhore për arsimin e lartë në Kosovë, e cila mblodhi udhëheqës institucionesh, përfaqësues të universiteteve vendore e ndërkombëtare, si dhe një numër të konsiderueshëm përfaqësuesish të ambasadave dhe misioneve diplomatike në vend.
Çertifikata thekson në veçanti rezultatet e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren në fushën e ndërkombëtarizimit, duke reflektuar angazhimin e vazhdueshëm për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, përfshirjen në projekte ndërkombëtare, rritjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit, si dhe avancimin e standardeve akademike në përputhje me praktikat më të mira evropiane dhe globale.





