Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, të premten, ka shpallur konkursin plotësues për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore-baçelor, për vitin akademik 2024/2025.
Në njoftimin e këtij institucioni të arsimit të lartë thuhet se në afatin plotësues të konkursit mund të pranohen 609 studentë të rregullt, prej tyre 134 studentë nga radhët e komuniteteve joshumicë.
Në Universitet, në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHTI, në kuadër të numrit të përgjithshëm të studentëve, mund të pranohen në 51 kandidatë edhe nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
“Të drejtë pranimi në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren kanë të gjithë kandidatët kosovarë, të cilët shkollimin e mesëm e kanë përfunduar në njërën prej shkollave publike apo shkollave private të licencuara në Republikën e Kosovës dhe që e kanë diplomën për shkollimin e kryer. Në Universitet mund të pranohen edhe kandidatët nga shtetet e tjera në kushte të njëjta konkurrimi me kandidatët nga Kosova”, thuhet në njoftim.
Aty janë publikuar informatat edhe lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve, si dhe afatet e konkursit, raporton Telegrafi.
“Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentacionit, bëhet prej 9.9.2024 deri më 21.9.2024, nga ora 09:00-15:00 (ditë pune përfshirë edhe të shtunën), dhe në ditën e fundit dokumentet pranohen deri në ora 16:00. Provimi pranues do të mbahet më 24.9.2024”, thuhet në njoftim.