Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren ka shprehur pikëllim të thellë për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Zahadin Shemsedinit, i cili ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.
Përmes një telegrami ngushëllimi, Universiteti ka bërë të ditur se Zahadin Shemsedini ishte ish-rektor i Universitetit të Prizrenit dhe ish-drejtor i Arsimit në Prizren, duke theksuar rolin e tij të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit dhe akademisë.
Në telegram vlerësohet se Prof. Dr. Zahadin Shemsedini ishte një figurë e shquar e arsimit dhe akademisë, i cili me përkushtimin, vizionin dhe angazhimin e tij profesional ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në formimin e shumë brezave.
Më tej, Universiteti thekson se veprimtaria e tij akademike dhe institucionale ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën arsimore dhe shoqërore të vendit.
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Shemsedini, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe gjithë komunitetit akademik.
Në fund të telegramit, Universiteti thekson se kujtimi dhe vepra e Zahadin Shemsedinit do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë dhe trashëgimisë akademike të institucionit.
