Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar për ndryshim të theksuar kushteve meteorologjike. Sipas IHMK-së gjatë natës pritet që temperaturat të bien dhe të ketë reshje bore.
Instituti ka paralajmëruar rrezik nga ngricat në sipërfaqet rrugore, trotuare, ura dhe zona të ekspozuara ndaj lagështisë së lartë
“Do të regjistrohet një ndryshim i dukshëm i drejtimit dhe karakterit të erës. Era, e cila gjatë ditës ka fryrë nga drejtimi juglindor, gjatë orëve të natës do të ndryshojë kahun në drejtim të veriut dhe veriperëndimit, duke favorizuar depërtimin e masave ajrore të ftohta me origjinë veriore. Ky proces do të shoqërohet me rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit në të gjitha rajonet e Kosovës”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Si pasojë direkte e këtyre zhvillimeve atmosferike, gjatë orëve të para të ditës së enjte (pas mesnatës), reshjet ekzistuese të shiut thuhet se pritet të kalojnë gradualisht në reshje bore.
“Fillimisht, reshjet e borës do të shfaqen në viset kodrinore dhe malore, ndërsa më pas, me avancimin e ajrit të ftohtë, bora pritet të përfshijë edhe viset e ulëta, duke krijuar shtresa bore edhe në zona fushore. Në viset malore, reshjet e borës tashmë janë të pranishme dhe në disa lokalitete po shënohen reshje të dendura, të cilat do të vazhdojnë edhe në orët dhe ditët në vijim”, thuhet në njoftim.
Temperaturat minimale thuhet se do të shënojnë ulje të theksuar, duke zbritur nën vlerat zero gradë Celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit.
“Kjo do të krijojë kushte të favorshme për formimin e ngricave në sipërfaqet rrugore, trotuare, ura dhe zona të ekspozuara ndaj lagështisë së lartë. Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor”, thuhet në njoftim.
Vështirësitë më të theksuara në komunikacion thuhet se priten në rrugët malore, akset dytësore dhe zonat me reliev të thyer, ku mund të ketë rrëshqitje dhe ngrirje të shpejtë të sipërfaqeve rrugore.
“Për këtë arsye, autoritetet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve rekomandohen të jenë në gatishmëri të shtuar, ndërsa pjesëmarrësit në trafik këshillohen të përdorin pajisje dimërore, të respektojnë distancën e sigurisë dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet reale të rrugës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, këto kushte meteorologjike thuhet se mund të kenë ndikim edhe në sektorë të tjerë, si bujqësia, furnizimi me energji elektrike dhe aktivitetet e përditshme të qytetarëve.
IHMK-ja ka këshilluar qytetarët që të ndjekin me vëmendje njoftimet dhe paralajmërimet zyrtare meteorologjike, si dhe të marrin masa parandaluese për mbrojtjen e pronës dhe sigurinë personale në ditët në vijim.
