Dogana e Kosovës ka njoftuar ka njoftuar se një udhëtarit në Aeroportin e Prishtinës i janë gjetur 9300 funta të padeklaruara, që sipas kursit zyrtar të këmbimit kanë vlerë sa 10,611.59 euro.
Prej tyre 8 mijë funta udhëtarit i kishte fshehur në çorape.
“Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në arritje, zyrtarët doganorë kanë kryer kontrollin e një udhëtari dhe bagazhit të tij. Gjatë skanimit fillestar dhe kontrollit fizik të udhëtarit, në trupin e tij, të fshehura në çorape, është gjetur një shumë e konsiderueshme parash të padeklaruara prej 8,000 funta britanike, përveç një shume tjetër që udhëtari mbante me vete. Në total, shuma e gjetur ishte 9,300 funta britanike, e cila sipas kursit zyrtar të këmbimit përkthehet në 10,611.59 euro”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, udhëtarit i është shqiptuar masa administrative prej 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve monetare thuhet se është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore.
Rasti i është referuar gjithashtu sektorit të Hetimeve për procedim të mëtejshëm.
