Në Prizren u varros Hasibe Alishani-Bllaca, veterane e arsimit, veterane e Ballit Kombëtar dhe krijuese, që tërë jetën e vet ia përkushtoi arsimimit dhe edukimit të gjeneratave të shumta të nxënësve shqiptarë, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Ajo u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare. Rrjedh nga familja Alishani, që është simbol i qëndresës dhe shprehjes së atdhedashurisë, dhe që për shkak të veprimtarisë kombëtare, pas Luftës së Dytë Botërore ishte internuar nga ish-regjimi jugosllav. Ka përjetuar shpirtin e plagosur të qytetarit të Prizrenit nga regjimi sllav, një pjesë të së cilës e ka paraqitur në katër përmbledhjet e saj me poezi, sidomos në “Vargje të shpirtit”.





