Policia e ka konfirmuar rastin e Nazim Hasanit nga Vinarci i Epërm i Mitrovicës, i cili tha për Klan Kosova, se u ngatërruar me një person tjetër për vjedhje, dhe për këtë shkak u rrah nga dy policë civilë.
Lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës Veriore, Besim Hoti.
“Lidhur me ankuesin Hasani, ju njoftoj se policia ka shoqëruar të njëjtin në stacion në Zubin Potok gjatë zbatimit të veprimeve lidhur me vjedhjen në kishën e fshatit Zupqe. Personi i shoqëruar ka dhënë deklaratën e tij dhe më pas është liruar pasi është vërtetuar nga policia se i njëjti nuk i përgjigjet përshkrimit të të dyshuarit. I njëjti ka nënshkruar deklaratën e tij pa vërejtje ndaj policisë”, tha Hoti, megjithëse nuk përmendet asnjë torturë në deklaratë.





