Para tri ditësh, Policia ka arritur të arrestojë në Fushë Kosovë një person të kërkuar në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, pasi ishte shpallur fajtor para shumë vitesh për veprën penale “Marrje ryshfeti” dhe ishte dënuar me burgim. Bëhet fjalë për një 47-vjeçar, i cili ka qëndruar në arrati për një kohë të gjatë, duke i ikur kështu vuajtjes së dënimit, raporton Gazeta Sinjali.
Personi që u kap në qytetin e Fushë Kosovës është F.K, i cili ishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë në vitin 2014. Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Gjykata Themelore në Prizren.
Në një përgjigje me shkrim thuhet se në dënimin që i ishte shqiptuar ishte llogaritur edhe koha sa kishte qëndruar në arrest shtëpiak në vitin 2013, teksa aktgjykimi i kësaj Gjykatë ishte vërtetuar nga Apeli në vitin 2015.
“Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, me datë 11.07.2014, ka shpallur Aktgjykim Dënues ndaj të pandehurit F.K., për shkak të veprës penale marrja e ryshfetit nga neni 428 par. 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës
I akuzuari është dënuar me Dënim me Gjobë në shumën prej 1.000 Euro, si dhe me Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej 3 (tre) vitesh, e 3 (tre) muaj, në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, nga data 03.08.2013, e gjerë më 21.10.2013.
Me datë 03.04.2015, Gjykata e Apelit ka vërtetuar Aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore në Prizren.”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Gjykatës, Marcel Lekaj.