LAJME

U.d. kryeprokurori i Shtetit priti drejtuesin e SPAK-ut, u dakorduan për forcimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë penale

U.d. kryeprokurori i Shtetit priti drejtuesin e SPAK-ut, u dakorduan për forcimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë penale
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Mars 2026, 11:23

Një delegacion nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nga Republika e Shqipërisë po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Kosovë.

Delegacioni shqiptar i kryesuar nga drejtuesi i SPAK-ut Klodjan Braho, u prit sot në takim nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, i shoqëruar nga prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe Laura Pula, si dhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

U.d. kryeprokurori Qalaj njoftoi delegacionin nga Tirana për funksionimin e sistemit prokurorial, e në veçanti për funksionimin e Prokurorit të Shtetit, për strukturën organizative, për kompetencat e prokurorive, si dhe për sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi prokurorial në realizimin e misionit për sundim të ligjit.

Gjatë këtij takimi u riafirmua angazhimi i përbashkët institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në të dyja shtetet, si dhe u diskutua për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimin dhe efikasitetin në luftën kundër krimit në të dyja shtetet.

Palët u dakorduan se forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet dy prokurorive në fushën e drejtësisë penale është thelbësor për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe trajtimin e çështjeve me interes të ndërsjellë.

Pjesë e delegacionit të Republikës së Shqipërisë përveç drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho ishte edhe ish-drejtuesi i kësaj prokurorie Altin Dumani dhe Fatjona Memçaj, prokurore në EUROJUST.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika