Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Tyson Fury, ka shënuar rikthim të suksesshëm në ring duke triumfuar ndaj Arslanbek Makhmudov me vendim unanim të gjyqtarëve, në duelin e zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në stadiumin “Tottenham Hotspur” në Londër.
Pas 12 raundeve, Fury dominoi pjesën më të madhe të përballjes falë përvojës, lëvizjeve të mençura dhe kontrollit taktik, duke neutralizuar fuqinë goditëse të kundërshtarit. Dy gjyqtarë e vlerësuan meçin 120-108, ndërsa i treti 119-109, çka vulosi një fitore bindëse për britanikun.
Ky ishte meçi i parë i Furyt pas 16 muajsh mungesë nga boksi profesionist, që nga humbjet e njëpasnjëshme ndaj Oleksandr Usyk në vitin 2024. Rikthimi i tij u prit me interes të madh nga tifozët dhe ekspertët, ndërsa performanca ndaj Makhmudovit tregoi se “Gypsy King” mbetet ende një emër i madh në elitën e peshave të rënda.
Me këtë triumf, Fury rikthehet fuqishëm në garën për duelet më të mëdha të kategorisë, teksa mediat sportive ndërkombëtare tashmë po spekulojnë për një superpërballje të mundshme ndaj Anthony Joshua gjatë këtij viti.