Parlamenti i Turqisë në kushtet aktuale nuk mund të ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, tha kreu i diplomacisë turke, Mevlut Çavusoglu.
“Ka ardhur për vizitë ministri i Jashtëm i Suedisë. Ai ka qenë në parlament, është takuar me përfaqësuesit e partive. Ai ka dëgjuar nga të gjitha partitë të njëjtën gjë, se pa përmbushur detyrimet ndaj nesh, ratifikim nuk është i mundur”, theksoi kryediplomati.
“Prandaj, në kushtet aktuale, nuk ka nevojë të flitet për miratimin e atij dokumenti”, tha ai në një konferencë të përbashkët për shtyp me kolegun hungarez, Peter Sziart.
Kreu i diplomacisë turke theksoi se, “nëse Suedia përmbush detyrimet e saja”, Ankaraja mund të ulet dhe të negociojë me Stokholmin. “Në këtë moment, megjithatë, ne nuk mund të mbështesim anëtarësimin e Suedisë në NATO”, tha ministri turk.
Turqia aktualisht e sheh më pozitivisht kandidaturën e Finlandës për anëtarësim në NATO sesa kandidaturën e Suedisë.
Pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, më 18 maj të vitit të kaluar, Finlanda dhe Suedia i paraqitën Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s kërkesën për anëtarësim në Aleancë. Kërkesat e Suedisë dhe Finlandës nuk u ratifikuan vetëm nga dy nga 30 vende – Hungaria dhe Turqia.