Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në margjinat e Samitit të South-East European Cooperation Process (SEECP) që po mbahet në Sofje.
Përmes një deklarate publike, Haxhiu tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë marrëdhënie të afërta fqinjësore, të mbështetura në lidhje të shumta njerëzore, ekonomike dhe kulturore.
Sipas saj, gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve, forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe përmirësimit të komunikimit ndërmjet dy vendeve, shkruan IndeksOnline.
“Çdo hap që e lehtëson lëvizjen, tregtinë dhe komunikimin ndërmjet qytetarëve tanë ka rëndësi të drejtpërdrejtë”, ka theksuar Haxhiu.
Në fokus të bisedës, sipas Haxhiut, ishin edhe avancimi i projektit të autostradës Bllacë–Shkup dhe projekti i tunelit Tetovë–Prizren.