Trupat elitarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës u stërvitën së bashku përpara nisjes në stërvitjen marshuese më të vështirë në botë, Cambrian Patrol.
Sipas ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, trupat shqiptare do të konkurrojnë në Malet e Uellsit në Mbretërinë e Bashkuar mes 160 skuadrave elitare nga 30 vende të botës duke marshuar për 48 orë rreth 70 km me 45 kg pajisje.
Ndërkohë, regjimenti i parë i Komandës së Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka realizuar ushtrimin fushor “Iron Platoon” në Babaj të Bokës në Gjakovë.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovcës, Armend Mehaj, ka thënë se qëllimi i ushtrimit ka qenë trajnimi i togjeve të Kompanisë 1B në skenare të ndryshme luftarake në nivel togu me municion real (Live Fire Exercise LFX-Platoon Level), ku pjesëmarrësit patën mundësinë të praktikojnë detyrat e sulmit në objektiv në nivel togu dhe togu i këmbësorisë në mbrojtje.
“Ushtrimi u realizua në kuadër të planit vjetor të trajnimeve, ku togjet treguan performancë të shkëlqyer në ekzekutimin e misionit dhe detyrave të planifikuara në përputhje me standardet doktrinore në fuqi”, ka shkruar Mehaj.