Trumpi mbledh sot Bordin e Paqes, marrin pjesë edhe Osmani e Rama

LAJMEMë pak se 3 min. për lexim
TV Prizreni
Botuar nga: TV Prizreni|1 orë
Trumpi mbledh sot Bordin e Paqes, marrin pjesë edhe Osmani e Rama

Presidenti amerikan, Donald Trump, do të takohet të enjten me përfaqësues të dhjetëra vendeve që i janë bashkuar Bordit të tij të Paqes, si dhe me disa që kanë zgjedhur të mos bashkohen, për një takim inaugurues, që do të përqendrohet në rindërtimin dhe krijimin e një force ndërkombëtare stabilizuese për Gazën e shkatërruar nga lufta.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar në shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në takimin inaugurues të Bordit. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po ashtu ka njoftuar se do të marrë pjesë.

Trumpi ka thënë para takimit se anëtarët e bordit kanë premtuar 5 miliardë dollarë për rindërtim, një pjesë e vogël e rreth 70 miliardë dollarëve që vlerësohet se nevojiten për të rindërtuar territorin palestinez të shkatërruar pas dy vjetësh lufte.

Anëtarët pritet të shpallin angazhime për mijëra persona në forcat ndërkombëtare të stabilizimit dhe policisë për territorin.

“Kemi liderët më të mëdhenj në botë që po i bashkohen Bordit të Paqes”, u ka thënë Trumpi gazetarëve më herët këtë javë.

“Mendoj se ka mundësinë të jetë bordi më me ndikim i krijuar ndonjëherë”, ka shtuar ai.

Bordi është iniciuar si pjesë e planit me 20 pika të Trumpit për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë. Por që nga armëpushimi i tetorit, vizioni i Trumpit për bordin ka evoluar dhe ai dëshiron që ai të ketë një mandat edhe më ambicioz, jo vetëm të përmbushë detyrën e vështirë për të arritur paqe të qëndrueshme mes Izraelit dhe Hamasit, por edhe të ndihmojë në zgjidhjen e konflikteve në mbarë botën.

Megjithatë, përpara mbledhjes së parë të bordit, marrëveshja e armëpushimit në Gazë mbetet e brishtë dhe vizioni i zgjeruar i Trumpit ka ngjallur frikë se presidenti amerikan po synon të krijojë një rival të Kombeve të Bashkuara. Trumpi ka thënë më herët këtë javë se shpreson që bordi ta nxisë OKB-në “të veprojë më me energji”.

“Kombet e Bashkuara kanë potencial të madh”, ka thënë ai. “Nuk e kanë përmbushur atë potencial”.

Më shumë se 40 vende dhe Bashkimi Evropian kanë konfirmuar se do të dërgojnë zyrtarë në takimin e së enjtes, sipas një zyrtari të lartë të administratës që nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht.

Gjermania, Italia, Norvegjia dhe Zvicra janë ndër në mesin e shumë venedeve që nuk i janë bashkuar bordit, por pritet të marrin pjesë si vëzhgues, ka thënë zyrtari.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka mbajtur një takim të nivelit të lartë të mërkurën mbi marrëveshjen e armëpushimit dhe përpjekjet e Izraelit për të zgjeruar kontrollin në Bregun Perëndimor.

Seanca e OKB-së në New York ishte planifikuar fillimisht për të enjten, por është zhvendosur për një ditë para, pasi Trumpi njoftoi takimin e bordit për të njëjtën datë dhe u parashikua se kjo do të komplikonte planet e udhëtimit për diplomatët që synonin të merrnin pjesë në të dyja./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika