LAJME

Trumpi e vlerëson rolin e Kosovës në përfundimin e luftërave

Trumpi e vlerëson rolin e Kosovës në përfundimin e luftërave
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Prill 2026, 08:40

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka vlerësuar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes. Ai ka thënë se përfshirja e Kosovës luan rol të jashtëzakonshëm në përfundimin e luftërave në botë.
Këtë e ka thënë në një letërpërgjigje për ish-presidenten Vjosa Osmani.
 
“Faleminderit për letrën e juaj shumë dashamirëse. Vazhdoj të admiroj lidershipin tuaj të guximshëm dhe vendimtar në emër të popullit të Kosovës. Kemi arritur shumë së bashku në një periudhë të shkurtër kohore – veçanërisht bashkëpunimin tonë në kuadër të Bordit të Paqes. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë nismë të re premtuese do të luajë një rol të jashtëzakonshëm në përfundimin e konflikteve në mbarë botën, duke promovuar njëkohësisht lirinë dhe mirëqenien për të dy popujt tanë”, thuhet në letrën që mban datën 8 prill, e që Osmani e ka publikuar të martën në Facebook.

Trumpi ka vlerësuar edhe rolin e Osmanit duke thënë se ajo do të lërë pas “trashëgimi të rëndësishme që do të formësojë të ardhmen e vendit, rajonit të Ballkanit, dhe gjithë Evropës”. Aty Trumpi e ka cilësuar si mike të besueshme të SHBA-së.

E Osmani në publikim ka falënderuar Trumpin.

“Lidhjen e fortë të Kosovës me Amerikën do ta ruajmë bashkë, sot e përherë! Falënderoj Presidentin Trump për letrën e dërguar në përfundim të mandatit tim, të cilën e pranova mbrëmë, si dhe për vlerësimin që i ka bërë punës sonë! Ashtu siç thekson edhe Presidenti i SHBA-ve në këtë letër, mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim”, ka shkruar ajo.

Kosova është pjesë e Bordit të Paqes, nismë e Trumpit për përfundimin e luftës në Gazë. Aty Kosova është zotuar për dërgim të Ushtrisë për paqe.

Tashmë vendimi është autorizuar edhe nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Forca e Sigurisë së Kosovës do të shkojë në Gazë për mision paqeje.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika