Është e padrejtë që vetëm mësimdhënësit të fajësohen për mungesën e cilësisë në arsim.
Kështu thotë Rinor Qehaja, drejtor i institutit “EdGuard” në Prishtinë, që merret me çështje të edukimit.
Përgjatë bisedës në podkastin e Radios Evropa e Lirë, Të flasim, ai tregon se ndër gjërat më shqetësuese për të ka të bëjë me rehatinë me të cilën flasin mësimdhënësit, prindërit dhe vetë nxënësit për mungesën e cilësisë në Kosovë.
Ai beson se përveç mësimdhënësve, ekziston një zinxhir i tërë që ka ndikuar në pakënaqësitë që sa shkojnë e rriten për sistemin arsimor.
Mbi 300.000 nxënës vijojnë mësimet në sistemin parauniversitar në këtë shtet.
Në mesin e tri gjërave kyçe që duhet ndryshuar për të parë rezultat Qehaja përmend llogaridhënien.
“Pra instalimi i mekanizmave që sjellin përgjegjësi në të gjitha nivelet. Nga mësuesi në klasë e deri te qeverisja qendrore. Nuk ka kuptim që të iniciohen ndryshimet dhe askush të mos marrë përgjegjësi për mosbazimin e tyre”.
Reforma tjetër, sipas tij, duhet të jetë e lidhur me zhvillimin profesional të mësimdhënësve.
“Kjo nënkupton mentorim, trajnime të përjavshme, të përmuajshme, buxhet për këtë punë, shtysa për pjesëmarrje, sepse e kam përshtypjen që këto do të ringjallnin vullnetin e mësimdhënësve”.
Jo më pak i rëndësishëm për të është digjitalizimi.
“Ky digjitalizim do të ndikonte në cilësi më të rritur për faktin se ai mësimdhënës që e di se ora e tij mësimore është duke u incizuar, ajo orë mësimore është duke u publikuar në platforma digjitale të shkollës, ai nuk guxon të jetë i papërgatitur për orën mësimore, pasi është i vetëdijshëm që e njëjta do të jetë e qasshme për të gjithë”.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë e ka publikuar në korrik të këtij viti strategjinë për arsim për periudhën 2022-2026.
Aty përfshihet edukimi në fëmijëri të hershme, aftësimi profesional dhe digjitalizimi i arsimit, por Qehaja nuk është optimist për rezultate konkrete.
“Ne nuk mungojmë në dokumente strategjike, dhe nuk besoj se zgjidhja është te dokumenti strategjik, zgjidhja është te përkushtimi institucional për zbatimin e tij. Po flasim për planin strategjik 2022-2026, ndërsa viti 2022 veçse po shkon pa asnjë aktivitet të zbatuar”.
“Testet ndërkombëtare ia kanë hapur sytë popullatës”
Për cilësinë e arsimit në Kosovë nuk kanë pasur fjalë të mira së fundi as organizatat ndërkombëtare.
Në raportin e vitit 2020 të Bankës Botërore janë përmendur probleme të konsiderueshme në mësimnxënie.
Në të është thënë se një fëmijë në Kosovë kryen 13 vjet shkollim, por, kur llogaritet mësimnxënia reale e fëmijëve, vitet e pritshme të shkollimit janë vetëm 7.9.
Pra ekziston një hendek i mësimnxënies prej 5.3 vjetësh.
Edhe në dy vlerësimet e nxënësve në testin ndërkombëtare PISA – më 2015 dhe 2018 – Kosova ka dalë ndër të fundit në listë.
PISA – Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve – është një studim mbarëbotëror i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në vendet anëtare dhe joanëtare, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore.
Qehaja beson se testet ndërkombëtare vetëm i kanë hapur sytë popullatës për situatën reale.
“Zakonisht është jetuar iluzioni që me një kalueshmëri të lartë në test të maturës ka cilësi, e që nuk ka qenë e vërtetë. Kjo është padrejtësi ndaj nxënësve, sepse implikimet janë të mëdha. Ajo që aktualisht po marrim nga arsimi është, fatkeqësisht, një fuqi punëtore e pakualifikuar, me shkathtësi të munguara, që nuk mund të gjenerojë asnjë përfitim ekonomik për vendin tonë”.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU
https://www.evropaelire.org/a/tri-ndryshime-te-domosdoshme-per-cilesi-ne-arsim/32083909.html