Dëshmitë e një kulture, që sipas gjetjeve arkeologjike, në këto anë daton këtu e 7 mijë vjet më parë, janë duke u shpalosur në një prej muzeve më me nam në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Relief dhe dy figurina parahistorike përfaqësojnë Kosovën në ekspozitën “First Kings of Europe” (Mbretërit e Parë të Evropës), që është hapur në Muzeun e Fieldit. Stela apo Reliefi i Kamenicës së bashku me dy figurinat antropomorfe të gjetura në Bardhosh të Prishtinës po qëndrojnë krahas artefakteve të dhjetë vendeve të tjera evropiane.
Muzeu Kombëtar i Kosovës merr pjesë krahas institucioneve më të larta muzeore të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Hungarisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Rumanisë, Serbisë dhe Sllovenisë.