Tre të arrestuarve për sulmin terrorist të së dielës në Banjskë të Zveçanit iu është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë nga Gjykata e Prishtinës.
Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, u arrestuan të dielën si të dyshuar për sulmin terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plago një polic tjetër.
Gjykata e ka aprovuar kërkesën e prokurorit të Prokurorisë Speciale, Naim Abazi.
Prokurori Abazi ka kërkuar që të arrestuarit të mbeten në paraburgim pasi të njëjtit dyshohen për vepra të ndryshëm penale, përfshirë edhe vepra që lidhen me terrorizmin.
“Kërkesa është bërë kundër tre të pandehurve për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129, lidhur me nenin 33 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, njoftoi Prokuroria Speciale.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK), duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit V. T., i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 126 i KPKS – së dhe kryerja e veprave terroriste nga neni129 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të dielën një grup prej mbi 30 personash sulmuan patrullën e policisë në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos një polic tjetër.
Policia pasi rrethoi zonën u ishte përgjigjur shkëmbimeve të zjarrit të grupit terrorist, duke i lënë tre të vrarë dhe disa të plagosur dhe arrestoi gjashtë të dyshuar lidhur me sulmin terrorist.