Policia e Kosovës ka arrestuar tre shtetas të Serbisë, të cilëve u janë gjetur 11 kilogramë substancë e dyshuar narkotike.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se operacioni është realizuar të mërkurën, nga njësitet e antidrogës nga Prishtina dhe Gjilani.“Policia e Kosovës, njësitet e antidrogës nga Prishtina dhe Gjilani gjatë një bashkëpunimi efikas në luftën e tyre për parandalimin dhe luftimin e dukurisë së posedimit dhe shitblerjes së paautorizuar të substancave narkotike, dje më 11.08,2021, kanë realizuar një operacion të suksesshëm policor ku janë arrestuar tre (3) persona të dyshuar meshkuj shtetas të Serbisë dhe janë gjetur mbi njëmbëdhjetë kilogram (11kg) substancë e dyshuar narkotike”, thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se të dyshuarit janë arrestuar në Gjilan.“Njësiti i antidrogës në Prishtinë pas pranimit të informacioneve në rrugë operative se në qytetin e Gjilanit do të realizohet një shitblerje e narkotikëve kanë ndërmarr veprime operative në teren ku kanë arrit që ta identifikojnë një veturë të tipit Mercedes me targa të Serbisë (VR), e cila ndodhej parkuar në një lokacion. Më pastaj aty ka ardhur një veturë tjetër e tipit Golf, në të cilën ndodheshin tre (3) persona, dhe nga kjo veturë ka zbritur një person që ishte ulur mbrapa dhe është afruar tek vetura e dyshuar Mercedes. Zyrtarët e antidrogës kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme për identifikimin dhe kontrollin e personit të dyshuar (P.S) shtetas i Serbisë dhe gjatë kontrollit të mëtejmë në bagazhin e automjetit Mercedes janë gjetur dy pako të mëdha në të cilat ndodheshin tri qese të zeza të mbështjella, ku dyshohej se kishte substancë të dyshuar si marihuanë”, njofton policia.Tutje, bëhet e ditur se në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, janë gjetur dhe konfiskuar dy revole, një karikator dhe disa fishekë.
“Pas kontrollimit të personave të dyshuar dhe veturave të përfshira në konsultim me prokurorin kompetent Policia e Kosovës ka kontrolluar edhe shtëpinë e njërit nga të dyshuarit në Gjilan dhe gjatë realizimit të bastisjes dhe kontrollit aty janë gjetur si prova materiale: Një (1) revole (C.Zastava, 9mm), Një (1) karikator ( me 142 fishekë-9mm), Një (1) revole ( pa mbishkrim) dhe Tridhjetë e katër (34 fishek-magnum, cal 44mm)”, bën të ditur policia.