Tre policët e Kosovës, të cilët janë rrëmbyer më 14 qershor pritet të dalin këtë të hënë para gjykatës në Kralevë
Këtë të hënë në orën 09:30 do të nisë seanca gjyqësore për tre policët e rrëmbyer në gjykatën e Kralevës në Serbi.
Sekretari i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, për RTV Dukagjinin e ka konfirmuar lajmin, duke shprehur shqetësimin e tij për kohën që ka kaluar dhe sjelljen e palogjikshme të Serbisë për mbajtjen e tyre atje.
Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi janë kidnapuar më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.
Haxholli ka theksuar se çdo moment i humbur deri në kthimin e tyre në Kosovë dhe në krye të detyrave është i rëndësishëm, pasi ai beson se mund të ketë një tentativë për të fshehur një veprim të çuditshëm përmes një procesi të drejtësisë me standarde mesjetare.
Ai ka thënë lirimi i menjëhershëm i tre policëve është i domosdoshëm pa të cilin nuk mund të realizohet drejtësia.
“Rrugës drejt Kralevēs, ku para një gjyqi pritet të dalin përsëri tre policët Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi. Çdo sekondë i humbur deri në kthimin e tyre në Republikën e Kosovës, në krye të detyrave, konstituon një impuls dhe sjellje jo racionale me qëllim kamuflimin e një akti bizar përmes një drejtësie me kut e standard mesjetar. Lirimi i menjëhershëm i tyre është Sine Non Qua [e domosdoshme]!”, ka deklaruar Haxholli.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, kishte deklaruar se pretendimet se ata ishin arrestuar brenda territorit të Serbisë, nuk janë të vërteta.
Policët ishin patrullues kufitarë dhe kryenin detyrën e tyre në një pikë statike në territorin e Kosovës për të parandaluar kalimin e grupeve kriminale dhe kontrabandën, duke përfshirë dyshime për armatim në atë zonë.





