Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar edhe një familje në Ratkoc të komunës së Rahovecit, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se mbrëmë tre persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda një shtëpie, ku kanë arritur që të armë, municion dhe para të gatshme.
Rasti është denoncuar në Polici nga pronari i shtëpisë, i cili ka deklaruar se hajnat kanë marrë një pistoletë me karikatorë dhe fishekë si dhe para të gatshme rreth 2 mijë euro.
Njësitë policore me të marrë informatën kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë intervistuar viktimën, i cili ka deklaruar se nuk ka ndonjë person në të cilin dyshon se mund të ketë kryer vjedhjen. Ndërkohë kanë shikuar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë, ku kanë parë tre persona të maskuar të cilët kanë depërtuar me forcë brenda shtëpisë së ankuesit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.