Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke vlerësuar procesin zgjedhor si një dëshmi të maturisë demokratike të qytetarëve të Kosovës dhe të kapaciteteve institucionale për organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve evropiane.
Totaj ka përgëzuar të gjithë akterët e përfshirë në proces, ndërsa ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin e arritur si partia e parë në zgjedhje.
Megjithatë, ai ka theksuar se mesazhi i qytetarëve është i qartë dhe se vendi ka nevojë për bashkëpunim politik, stabilitet institucional dhe një qeverisje efikase.
“Qytetarët kanë dhënë mesazhin e tyre të prerë: Kosova ka nevojë për bashkëpunim, stabilitet dhe një qeverisje efikase. Asnjë parti nuk mund të ecë përpara e vetme”, ka deklaruar Totaj.
Ai ka bërë thirrje që të lihen anash tensionet elektorale dhe t’i hapet rrugë dialogut të përgjegjshëm politik, duke kërkuar veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje që të reflektojë mesazhin e marrë nga qytetarët.
Sipas Totajt, subjektet politike kanë detyrim kushtetues dhe moral që të shmangin çdo jostabilitet institucional, ndërsa ka ftuar liderët e partive parlamentare të angazhohen për arritjen e një konsensusi të gjerë për zgjedhjen e presidentit të ri dhe formimin e shpejtë të një qeverie stabile me mandat të plotë katërvjeçar.
Në fund, kryetari i Prizrenit ka theksuar se Kosova përballet me sfida të rëndësishme ekonomike dhe gjeopolitike, duke nënvizuar se interesi i shtetit dhe i qytetarëve duhet të mbizotërojë mbi interesat partiake.