Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se së fundmi po pranojnë çdo ditë kërkesa të shumta e plotësisht të arsyeshme për investime në lagjet dhe fshatrat e komunës.
Ai ka siguruar qytetarët se secila ankesë dëgjohet dhe trajtohet me seriozitet, mirëpo sipas tij, vonesat në realizimin e disa projekteve, nuk janë pasojë e mungesës së vullnetit, por e rrethanave financiare me të cilat po përballet Komuna e Prizrenit.
Totaj ka thënë se pavarësisht që kontrata kolektive është obligim i Ministrisë së Arsimit dhe një e drejtë e merituar e punëtorëve të arsimit, barra financiare është bartur te komunat.
Ai shtoi se gjatë këtyre viteve, Komunës së Prizrenit i janë marrë mbi 40 milionë euro, ndërsa vetëm gjatë këtij viti mbi 17 milionë euro. Këto janë mjete që sipas tij, do të ishin investuar në rrugë, shkolla, shëndetësi, infrastrukturë dhe projekte të tjera në shërbim të qytetarëve.
“Të dashur qytetarë, po pranojmë çdo ditë kërkesa të shumta e plotësisht të arsyeshme për investime në lagjet dhe fshatrat e Komunës sonë. Dua t’ju siguroj se secila prej tyre dëgjohet dhe trajtohet me seriozitet. Fatkeqësisht, Komuna e Prizrenit po përballet me një goditje të rëndë financiare. Edhe pse Kontrata Kolektive është obligim i Ministrisë së Arsimit dhe një e drejtë e merituar e punëtorëve të arsimit, barra financiare është bartur te komunat. Gjatë këtyre viteve, Komunës së Prizrenit i janë marrë mbi 40 milionë euro, ndërsa vetëm gjatë këtij viti mbi 17 milionë euro. Këto janë mjete që do të ishin investuar në rrugë, shkolla, shëndetësi, infrastrukturë dhe projekte të tjera në shërbim të qytetarëve.” – ka shkruar Totaj në Facebook.
Ai theksoi se do të vazhdojë të kërkojë nga niveli qendror dhe institucionet përkatëse, një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për këtë çështje.
“Ju e dini se gjatë mandatit tonë kemi investuar në çdo pjesë të komunës dhe ky mbetet angazhimi ynë. Prandaj, ju kërkoj mirëkuptim për vonesat në realizimin e disa projekteve, të cilat nuk janë pasojë e mungesës së vullnetit, por e rrethanave financiare me të cilat po përballemi. Si kryetar i Komunës, do të vazhdoj të kërkoj nga niveli qendror dhe institucionet përkatëse, një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për këtë çështje, në mënyrë që komunat të kenë mundësi t’i vazhdojnë investimet dhe t’u ofrojnë qytetarëve projektet dhe shërbimet që i meritojnë.” – përfundoi Totaj.