LAJME

Totaj: Qeveria i ka marrë Komunës së Prizrenit 36 milionë euro në katër vjet

Totaj: Qeveria i ka marrë Komunës së Prizrenit 36 milionë euro në katër vjet
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Mars 2026, 17:50

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka deklaruar se Komuna e Prizrenit ka pësuar humbje të mëdha financiare gjatë katër viteve të fundit, si pasojë e zbatimit të kontratës kolektive.

Sipas tij, përmes procedurave përmbarimore, nga Qeveria e Kosovës janë tërhequr gjithsej 36 milionë euro nga buxheti komunal.

Në një intervistë në emisionin “Euro” në T7, Totaj theksoi se vetëm gjatë këtij viti, deri më tani, Komunës së Prizrenit i janë marrë edhe 12 milionë euro të tjera.

Ndërkohë, disa ditë më parë, Totaj kishte ngritur shqetësime edhe për mosvënien në dispozicion të buxhetit të vitit 2026 për komunat, pavarësisht se ai është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe dekretuar nga Presidenca.

Sipas tij, ekzistojnë dyshime se Ministria e Financave ka mbajtur në pritje për ekzekutim pagesa përmbarimore nga buxhetet komunale, në një vlerë të përafërt prej rreth 100 milionë eurosh.

Ai paralajmëroi se një veprim i tillë mund të çojë në çrregullim të funksionimit të buxheteve komunale.

E në lidhje me këtë, lajmi.net e ka pyetur Ministrinë e Financave të cilët përmes një përgjigje kanë thënë se “pretendimet për “mos-transferim të buxhetit për komunat” nuk pasqyrojnë mënyrën se si funksionon sistemi i ekzekutimit të buxhetit në Republikën e Kosovës”.

Ata kanë thënë se në sistemin e Thesarit nuk realizohen transfere të buxhetit nga Ministria e Financave te Komunat.

“Të gjitha pagesat e organizatave buxhetore, përfshirë komunat, ekzekutohen nga vet organizatat buxhetore nga buxhetet e miratuara te tyre përmes Llogarisë së Vetme të Thesarit, në përputhje me procedurat e përcaktuara në Ligjin Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Në bazë të Rregullores (MFPT) Nr. 01/2022 për Alokimin e Fondeve dhe Menaxhimin e Rrjedhës së Parasë, organizatat buxhetore janë të obliguara që në fillim të vitit buxhetor të përgatisin dhe dorëzojnë në Thesar planet e shpenzimeve dhe rrjedhën e zotimeve, të cilat shërbejnë si bazë për planifikimin e alokimeve dhe menaxhimin e rrjedhës së parasë gjatë vitit”, ka thënë MF. 

Ata kanë treguar se organizatat buxhetore që e kanë përmbushur këtë obligim ligjor, janë duke realizuar pagesat e tyre normalisht përmes sistemit të Thesarit.

“Në rastet kur këto plane nuk janë proceduar në Sistemin e Thesarit sipas kërkesave të rregullores, kjo ndikon drejtpërdrejt në dinamikën e alokimit dhe të ekzekutimit të pagesave, që është përgjegjësi e vetë organizatës buxhetore përkatëse. Ministria e Financave, përmes Thesarit, është duke vazhduar procesin e alokimit dhe ekzekutimit të buxhetit në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha organizatat buxhetore, përfshirë komunat”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave për lajmi.net. 

Buxheti që është miratuar në Kuvendin e Kosovës është 4 miliardë euro, ndërsa për komunat e Kosovës parashihen 867 milionë euro.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika