LAJME

Totaj: Qeveria duhet t’i mbështesë komunat, jo t’i bllokojë e t’i godasë qytetarët

Totaj: Qeveria duhet t’i mbështesë komunat, jo t’i bllokojë e t’i godasë qytetarët
TV Prizreni
TV Prizreni
1 Shtator 2026, 11:41

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar pas protestës së sotme të organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, ku morën pjesë përfaqësues të komunave të vendit.

Totaj ka thënë se protesta kishte për qëllim ngritjen e zërit për mbrojtjen e kompetencave lokale dhe interesit të qytetarëve, pa dallim përkatësie partiake.

“Çdo kompetencë që po largohet nga komunat, çdo barrë e re buxhetore dhe çdo kufizim i të hyrave vetanake po e godet drejtpërdrejt qytetarin dhe po e pengon zhvillimin lokal”, ka shkruar Totaj.

Ai ka kërkuar që komunave të mos u kufizohen kompetencat dhe burimet financiare, duke theksuar se ato janë institucionet që u ofrojnë shërbime qytetarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Ne jemi të bashkuar në mbrojtje të qeverisjes lokale, sepse komunat janë institucioni që i shërben qytetarit drejtpërdrejt. Kjo qasje duhet të ndryshojë menjëherë”, ka deklaruar Totaj.

Kryetari i Prizrenit ka kritikuar gjithashtu, siç e ka quajtur, qasjen selektive dhe diskriminuese ndaj komunave, duke kërkuar mbrojtjen e kompetencave lokale dhe buxheteve komunale.

Reagimin e tij Totaj e ka përmbyllur me thirrjen: “STOP DIKTATURËS në Republikën tonë demokratike!”

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika