LAJME

Totaj pas votimit të ligjit për Specialen dhe zgjedhjes së Presidentes: Tani është radha e shtetit

Totaj pas votimit të ligjit për Specialen dhe zgjedhjes së Presidentes: Tani është radha e shtetit
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Tetor 2026, 17:26

Kryetari i Prizrenit dhe nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj, ka reaguar pas votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjes së Justina Shiroka Pulës në postin e Presidentes së Kosovës.

Përmes një reagimi në facebook, Totaj ka thënë se pas 21 ditësh protestash dhe pas hapave të fundit institucionalë, Kosova duhet të nisë një fazë të re të veprimit lidhur me çështjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Ai ka theksuar nevojën për koordinim të plotë ndërmjet institucioneve të shtetit dhe hartimin e një strategjie të përbashkët juridike, diplomatike dhe institucionale, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të ish-krerëve të UÇK-së.

“Jo për të ndërhyrë në drejtësi, por për të kërkuar drejtësi, standarde të barabarta, transparencë dhe respektim të plotë të të drejtave të tyre”, ka shkruar Totaj.

Sipas tij, protestat qytetare e kanë përcjellë mesazhin e tyre, ndërsa Kuvendi ka ndërmarrë hapin e parë përmes votimit të ndryshimeve ligjore.

Në fund të reagimit, Totaj ka theksuar se Kosova duhet ta trajtojë këtë çështje me një zë të përbashkët dhe me strategji të koordinuar.

“Kosova nuk i harron bijtë e saj, nuk i lë vetëm dhe qëndron pranë tyre deri në fund”, ka përfunduar ai.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika