Me rastin e Ditës së Zjarrfikësve të Prizrenit, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku me nënkryetarin Kujtim Gashi, drejtorin e Emergjencave dhe Sigurisë, Sead Arifi, si dhe zyrtarë të tjerë të ekzekutivit komunal, vizituan zjarrfikësit në Shadërvan.
Gjatë vizitës u organizua një aktivitet simbolik me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për rëndësinë e mbrojtjes nga zjarret dhe fatkeqësitë natyrore. Në kuadër të aktivitetit, zjarrfikësit shpërndanë broshura informuese që përmbanin udhëzime dhe këshilla praktike për rritjen e sigurisë së qytetarëve.
Kryetari Totaj vlerësoi punën dhe përkushtimin e zjarrfikësve, duke theksuar rolin e tyre të rëndësishëm në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.
“Mirënjohje për të gjithë zjarrfikësit tanë, të cilët me përkushtim, profesionalizëm dhe sakrificë janë çdo ditë në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të jetës e pronës së tyre”, u shpreh ai.
Aktiviteti u zhvillua në qendër të qytetit, duke përcjellë mesazhe sensibilizuese për parandalimin e zjarreve dhe reagimin e duhur në rast emergjencash.





