Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, në një postim në Facebook ka ndarë pamje të shkollës së muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren, si një ndër shkollat e para në Kosovë.
Ai teksa ka radhitur artistët e shquar që dolën nga kjo shkollë, e ka cilësuar atë si vlerë të Prizrenit.
Ndërkaq, ka thënë se edhe sot kjo shkollë funksionon për mrekulli dhe përgatit breza muzikantësh, të cilët, sipas tij, na përfaqësojnë denjësisht në skena ndërkombëtare.
“Përshëndetje nga një ndër shkollat e para në Kosovë, Shkolla e Muzikës “Lorenc Antoni”, që është themeluar më 1947, ndërsa si shkollë e mesme është aktivizuar më 1948. Gjenerata e parë përgatiti mësimdhënësit e parë të muzikës dhe dirigjentët e parë të koreve në vendin tonë, në të cilin grup ishin emrat e mëdhenj Mark Kaçinari, Krist Lekaj, Engjëll Berisha, Shefqet Kazazi, Zita Bashota, Nadire Vraniqi, Marija Antoni, Nashide Shporta, etj. Kjo shkollë, vlerë e Prizrenit, funksionon edhe sot për mrekulli dhe përgatit breza muzikantësh që janë aktiv edhe në skena ndërkombëtare dhe na përfaqësojnë denjësisht.”, shkruan Totaj në Facebook./TVPrizreni/