Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, përmes një reagimi publik të martën, ka thënë se përveç barrës së vazhdueshme financiare që komunat po përballojnë nga zbatimi i Kontratës Kolektive, e cila sipas tij, vetëm gjatë këtij viti arrin në dhjetëra milionë euro, gjatë periudhës së fundit, ai thotë se janë ndërmarrë edhe disa vendime të tjera me ndikim të drejtpërdrejtë dhe të konsiderueshëm në financat e pushtetit lokal.
Sipas Totajt, shqetësuese është se të gjitha këto vendime janë marrë pa asnjë konsultim me komunat, ndonëse pasojat financiare, siç thotë ai, bien drejtpërdrejt mbi buxhetet komunale dhe ndikojnë në cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
“1. Shkurtimi i Grantit të Performancës Komunale
Ligji për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026 ka paraparë 4 milionë euro nga buxheti i shtetit për Skemën e Grantit të Performancës. Megjithatë, janë ndarë vetëm 2 milionë euro, duke e përgjysmuar fondin qeveritar në kundërshtim me ligjin dhe duke dëmtuar komunat që kanë përmbushur kriteret ligjore për përfitim. Për më tepër, edhe këto mjete ende nuk janë shpërndarë te komunat dhe nuk dihet se kur do të realizohet shpërndarja e tyre, duke krijuar pasiguri të mëtejshme për komunat përfituese.
2. Moszbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës
Moszbatimi nga Ministria e Financave i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kompensimin e përvojës së punës (0.5% në vend të 0.25%) për periudhën nga fillimi i vitit 2023, gjatë vitit 2024 dhe vitit 2025 krijon obligime të konsiderueshme financiare. Si pasojë, barra financiare për zyrtarët publikë të nivelit lokal pritet t’u bartet komunave, duke rrezikuar seriozisht stabilitetin e financave komunale.
3. Barra shtesë prej 24 milionë euro për mësimdhënësit
Ndryshimi arbitrar i Grantit të Arsimit ka bërë që financimi qendror të mos mbulojë rreth 3,100 mësimdhënës, duke krijuar një barrë shtesë prej rreth 24 milionë euro për këtë vit për komunat. Kjo do të kufizojë ndjeshëm mundësinë e komunave për të financuar investimet kapitale, subvencionet dhe shërbimet publike.” – theksoi Totaj.
Ai bëri të ditur se nëse ky trend vazhdon, komunat rrezikojnë të mbesin pa kapacitet real financiar për të investuar në infrastrukturë, zhvillim ekonomik lokal, subvencione dhe projekte të tjera në interes të qytetarëve.
Sipas tij, në vend që të zhvillojnë komunitetet e tyre, ato do të detyrohen të përqendrojnë pothuajse të gjitha burimet financiare në mbulimin e obligimeve të imponuara nga niveli qendror. Kjo, sipas tij, cenon drejtpërdrejt autonominë financiare të pushtetit lokal dhe bie ndesh me parimet e vetëqeverisjes lokale.