Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 25.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 24.02.2022, ndaj të miturave E.J., dhe L.C.
“Caktimi i masës së paraburgimit ka ndodhur për shkak të dyshimit të bazuar se: Të miturat E.J., dhe L.C., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale kanosja nga neni nga neni 181 par.4 lidhur me par.1 dhe nenin 31. E mitura E.J., edhe për veprën penale mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve neni 366 par.1 të Kodi Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të miturave ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se në javën e dytë të muajit Janar 2022, në ambientet e një Shkolle të mesme në Prizren, në bashkëkryerje seriozisht e kanosin personin tjetër me vepra apo gjeste se do t’i shkaktojnë ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit te personi i tillë, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëparshme mes viktimës – të dëmtuarës, dhe të miturave L.C., dhe E.J., fillimisht e dërgojnë të dëmtuarën prapa shkollës e më pas e kërcënojnë me armës – thikë, (e mitura E.J.,) me anë të një brisku me teh prej 7 cm, kështu të dëmtuarës i shkaktojnë frikë, ankth dhe pasiguri.





