Një atmosferë e dhimbshme ka pushtuar Anfield-in, aty ku mijëra tifozë të Liverpoolit janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit Diogo Jotës, pas lajmit tronditës për ndarjen e tij nga jeta në një aksident tragjik në Spanjë, së bashku me vëllain e tij.
Që në orët e hershme të mëngjesit, pranë hyrjes së stadiumit legjendar është krijuar një altar nderimi – me lule, fanella të kuqe, shalla të klubit dhe mesazhe zemërthyese për sulmuesin portugez, i cili u bë një ndër figurat më të dashura për tifozët.
Në shenjë zie, flamuri i klubit është ulur në gjysmështizë, teksa heshtja dhe emocionet mbizotërojnë në mesin e mbështetësve të pikëlluar. Shumë prej tyre janë parë me lot në sy, duke ndalur për një moment reflektimi për Jotën – lojtarin që do të kujtohet gjithmonë për përkushtimin, zemrën në fushë dhe buzëqeshjen karakteristike.





