Për Kosovën tetori ishte muaji i vizitave të zyrtarëve perëndimorëGjatë javës së shkuar emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar erdhi për vizitë në Kosovë, pasuar nga Mirsolav Lajçak, e deri tek i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.
Këto vizita si të evropianëve ashtu edhe të amerikanëve vijnë në kohën kur SHBA-ja dhe BE-ja i kërkuan Kosovës shtyrjen për 10 muaj të afatit për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato RKS.
Më 18 tetor për vizitë ishte Escobar, ai pati takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe me liderë të opozitës.
Escobar e konfirmoi se ishte sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ai që kërkoi shtyrjen e afatit për targat.
“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që ta shtyjë vendimin për targat e veturave për nja 10 muaj. Nuk mora zotim as nga kryeministri Kurti, as nga presidentja Osmani për kërkesën tonë. Ne besojmë se është e rëndësishme që kur bëjmë rekomandime, njerëzit të dëgjojnë”, tha Escobar.
Tri ditë më vonë prej vizitës së Escobar, filloi vizita zyrtare e Lajçak, ai pati një takim me Kurtin, teksa për shtyerjen e afatit për targat tha se nuk dëshiron ta komentojë.
“Diskutuam për këtë çështje (për targat) dhe është vendim i kryeministrit, kështu që s’do ta komentoj këtë”, ka thënë Lajçaku në një konferencë për medie pas takimit.
Pas Escobar dhe Lajçak, Kosova ishte cak i vizitës zyrtare edhe për Peach gjatë ditës së djeshme dhe sot.
Ai dje u takuar me liderët shtetëror, por nuk pati ndonjë deklaratë për media pas këtyre takimeve, pos njoftimeve të lëshuara nga presidenca dhe qeveria e Kosovës.
Në njoftimin e presidencës u tha se Osmani dhe Peach diskutuan për zhvillimet e fundit në rajon dhe Evropë, si dhe për angazhimin dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën.
Ndërsa, në njoftimin e qeverisë theksohet se Kurit e Peach diskutuan për njohjen reciproke dhe zbatimin e udhërrëfyesit për energji.
Peach sot ishte pjesëmarrës edhe në Samitin e Ballkanit Perëndimor, ku u deklarua se e Britania e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në ndërkohë, shefi i qeverisë kosovare – së fundmi pati një takim me ambasadorët e QUINT-it, por edhe një bisedë telefonike me kryediplomatin evropian Josep Borrell.
Zyra e Kryeministrit, pa dhënë shumë detaje, njoftoi se Kurti dhe Borrell biseduan për dialogun dhe për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes që për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.
Kujtojmë se gjatë ditës në një deklaratë për media shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti tha se nuk do të ketë shtyrje të vendimit për targat.