Sot është mbajtur pjesa e parë e Testit të Arritshmërisë ku nxënësit që kanë përfunduar klasën e nëntë i janë përgjigjur 100 pyetjeve nga katër lëndë. Ministria e Arsimit e vlerësoi procesin të rregullt, pavarësisht se pyetjet sërish u shpërndanë nëpër rrjete sociale. Ndërsa nxënësit thanë së kishin pasur pyetje edhe nga mësimet që nuk i kanë mësuar dhe të përsëritura nga vitet e kaluara.
Shefi i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, tregoi për KosovaPress se testi ka nisur në kohë në të gjitha qendrat e testimit, përveç një qendre në Ferizaj dhe një në Lipjan ku ka pasur mungesë të administratorëve.
Elezi pohoi se një numër i konsiderueshëm i nxënësve janë kapur duke përdorur telefonin, por nuk e saktësoi sa, pasi tha se janë duke pritur të gjitha raportet nga terreni.
“Në një qendër në Ferizaj kemi pasur mungesa të administratorëve, mirëpo shumë shpejtë është zgjidhur ai problem, aty ka pasur pak vonesë në fillimin e testit dhe në një qendër në Lipjan. Ndërsa, në qendrat e tjera çdo gjë ka shkuar më rregull, administratorët kanë shkuar më kohë. Po ashtu ka pasur raste kur kanë përdorur telefonat dhe për këtë arsye janë larguar një numër bukur i madh nga testimi”, ka thënë Elezi.
Nxënësit e klasave të nënta të shkollës “Faik Konica” ishin caktuar të testoheshin në gjimnazin “Xhevdet Doda”.
Nxënësja Blendina Salihu, pas përfundimit të testit, tha se kishte pyetje edhe nga mësimet që nuk i kishin mësuar për shkak të pushimeve të zgjatuara të muajit prill, ku kanë humbur pesë të hëne radhazi dhe orët nuk janë kompensuar.
“Pyetjet më shumë kanë qenë të logjikshme në test, disa pyetje kanë qëlluar të përsëritura. Nuk ka qenë i vështirë, por kanë qenë disa pyetje që nuk i kemi mësuar me plan program, për shkak të disa të hënave të humbura në muajin prill të cilat nuk i kemi zëvendësuar dhe ato pyetje kanë qenë të pranishme në test”, tha ajo.
Një tjetër nxënës i shkollës “Faik Konica”, Diar Begolli, ka treguar se ka pasur edhe përsëritje të pyetjeve në lëndët gjeografi dhe histori.
“Procesi i testit ka shkuar shumë mirë, besoj që të gjithë do të dalin me rezultate sa më të mira… Probleme nuk ka pasur, në test pyetjet janë përsëritur por besoj që ka shkuar shumë mirë… kanë qenë 100 pyetje në 4 lëndë”, tha ai.
Nxënësja Anila Gashi, që iu nënshtrua testit në shkollën “Elena Gjika” tha se ka pasur pyetje të njëjta nga vitet e kaluara.
“Nuk ka qenë testi i vështirë, por ne kemi qenë një gjeneratë e pandemisë, është edhe sfidë e re për ne pasi testi është ndarë në dy pjesë, por megjithatë pyetjet nuk kanë qenë të vështira… Lëndët kanë qenë më të lehta pasi kanë qenë shoqërore… Ka pasur edhe pyetje të përsëritura nga viti i kaluar por edhe në lëndën histori kanë qenë të përsëritura”, tha ajo.
Ministria e Arsimit pranoi se ka pasur pyetje të përsëritura por i vuri fajin sistemit për këtë problem.
“Pasi t’i analizojmë të gjitha këto është e vërtetë sot një pyetje e gjeografisë në testin e Grupit A ka qenë në rregull, mirëpo në Grupin B është përsëritur, ka qenë një problem në sistem, do të shikojmë atë defekt, kurse në lëndën e historisë është një pyetje që i ka dy alternativa të njëjta”, theksoi ai.
Këtë vit Testi i Arritshmërisë ka pasur ndryshime edhe tek grupet e testeve, Elezi tha se për të zvogëluar mundësin e kopjimit, kanë vendosur që testet të jenë më 4 grupe dhe jo më 2 grupe siç kanë qenë vitet e kaluara.
Pjesa e dytë e testit pritet të mbahet më 14 qershor, ku do të jenë 100 pyetje nga pesë lëndë të tjera. Rezultatet e testit priten të shpallen më 21 qershor. /kp/