Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, bashkë me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, i kanë duruar letër zyrtarëve të Bashkimit Europian, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’iu kërkuar të reagojnë ndaj pushtetit në Serbi, lidhur me qëndrimet në funksion të institucionalizimit dhe legalizimit të gjuhës së urrejtjes dhe raciste ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti.
Kamberi dhe Mustafa thanë se në letër kanë nënvizuar se vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë në Beograd, me të cilin ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vulin u lirua nga akuza e gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe diskriminimit ndaj shqiptarëve, është precedent i rrezikshëm për minoritetet në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.
“Njoftuam përfaqësuesit ndërkombëtarë se ky vendim i Gjykatës së Lartë i cili nuk e dënon përdorimin e termit joligjor dhe shovinist “šiptar” është po ashtu tregues që gjyqësori në Serbi është nën ndikimin e drejtpërdrejtë të zyrtarëve qeveritarëve, duke mos zbatuar as Ligjin mbi Ndalimin e Diskriminimit Racor dhe Fetar, që sanksionon ”nxitjen e pabarazisë, urrejtjes dhe intolerancës bazuar në përkatësi racore, kombëtare, fetare, seksuale ose tjetër””.





