Ministri I financave këto ditë në një emision në televizionin T7 deklaroi se një nga arsyet e mos përkrahjes nga Qeveria të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, është efekti që mund të ketë tërheqja e kursimeve në kërkesë e përgjithshme dhe përmes saj në rritjen e inflacionit. Madje ai konstatoi se le të del dikush dhe të më bind që nuk ndikon. Po kështu ai lidhur me tërheqjen e mundshme të parave nga Trusti, theksoj nuk mund të bëhet kompromis me parimet e vendosura lidhur me qëllimin e këtij fondi, andaj nuk guxojmë që të lejojmë që të bëhet precedent me tërheqjen edhe të 30% të kursimeve.
Ligji për Fondin Kursimeve Pensionale është aprovuar në Kuvendin e Kosovës dhe aty edhe mund të amandamentohet, madje edhe të abrogohet dhe të zëvendësohet me një ligj komplet të ri që rregullon çështjen e sigurimit pensional.
Pra këtu nuk kemi të bëjmë me parime, por me ligj, i cilin ashtu siç është duhet të respektohet, derisa nuk amandamentohet, apo nuk nxirret një ligj i ri i cili në çfarëdo forme e ndryshon atë. Por për këtë do të shkruaj një herë tjetër.
Tani nuk do të merrem me atë se a duhet, a është e arsyeshme, dhe cilat janë të mirat dhe pasojat e tërheqjes së parave nga fondi për vet Trustin, por edhe të ardhmen e kursimtarëve. Për këtë pjesërisht nga këndvështrimi i ligjit aktual kam shkrua më parë.
Në këtë shkrim do të provoj me argumentua se mund të ekzistojnë arsye tjera pse nuk bënë të tërhiqen kursimet nga Trusti i pensioneve, por jo rreziku nga inflacioni në ekonomi siç konstaton ministri i financave dhe do të provoj ta bindi se tërheqja eventuale e parave përkundrazi mund të ndikoj pozitivisht në rritjen ekonomike, e cila këtë vit seriozisht është duke u rrezikuar si rezultat i tkurrjes apo tempos së ultë të investimeve nga ana e qeverisë si dhe rënies potenciale të dërgesave dhe shpenzimeve tjera të diasporës. Lidhur me këtë do ti japi disa argumente si në vijim.
Së pari, Kosova shfrytëzon në mënyrë të njëanshme një valutë të huajën për qarkullimin e pagesave, andaj sasia e parave që është në qarkullim është në përpjesëtim real me vlerën e aktiviteteve ekonomike. Pra aq sa kemi aktivitet ekonomik, po aq kemi hyrje dhe dalje të monedhave (parave) nga vendi. Emisioni shtesë i monedhës euro i njohur si emisioni primar bëhet nga Banka Qendrore Evropiane (BQE), dhe në këtë aspekt Kosova nuk ka asnjë ndikim, ose mund të themi se aktiviteti ekonomik i saj (Kosovës) në mënyrë indirekte ka ndikim minor në sasinë e parave që BQ Evropiane e hedhë në qarkullim.
Por, emisioni primar i Bankës Qendrore Evropiane ka ndikim në shkallën e inflacionit, sa herë që sasia e parave (eurove) të emetuara është më e madhe në përpjesëtim me vlerën e sasisë së mallrave dhe shërbimeve ku përdoret euro si mjet pagese.
Prandaj, inflacioni që e shoqëroi ekonominë tonë vitin 2021 dhe po vazhdon edhe këtë vit, në një masë të konsiderueshme është i ndikuar edhe nga emisioni primar i BQE, e cila konsiderohet si një nga Bankat Qendrore më të pavarura nga qeveria, përkatësisht qeveritë. Prandaj nga ky vështrim, ne kemi inflacion të importuar, sepse rritja e sasisë së parave të emetuara në BE, reflektohet në rritjen e çmimeve në BE, e që në mënyrë indirekte përcillet në rritjen e çmimeve në Kosovë, qoftë përmes aktiviteteve të blerjes dhe të shitjes së mallrave e shërbimeve, remitencave dhe formave të tjera të hyrjes së parave.
Po kështu, ulja e normave kamatore të Bankës Qendrore Evropiane, ka ndikim në rritjen e aktivitetit ekonomik të bankave komerciale në BE dhe kjo natyrisht ndikon në të ashtuquajturin emision sekondar, që gjithashtu e rritë masën monetare, dhe kjo natyrisht se ndikon në rritjen e kërkesë, e nëse sasia e mallrave dhe shërbimeve nuk rritet në përpjesëtim të njëjtë, kjo ka për pasojë rritjen e çmimeve, e cila më pastaj në mënyrë indirekte përcillet edhe në ekonominë tonë.
Por, edhe këtu Kosova nuk ka kurrfarë ndikimi, madje siç e dimi, Banka Qendrore e Kosovës për vite me radhë, edhe kur është dashur as që ka provuar që të ndikojë në çfarëdo mënyre në uljen e normave të kamatës të bankave komerciale, thjeshtë ka qenë spektator pasiv i “konkurrencës së lirë” të institucioneve financiare, të cilat për vite me radhë kanë pas dhe vazhdojnë të kenë norma të kamatës më të lartat në regjion, por edhe në Evropë.
Së dyti, për lexuesin me më pak njohuri në lëmin e ekonomisë, do të përmendi se ka shumë faktor që shpijnë deri të rritja e nivelit të përgjithshëm të çmimeve të njohur si inflacion. Por të gjithë ata mund ti përmbledhim në dy grupe kryesore, inflacioni i shkaktuar nga kërkesa dhe inflacioni I shkaktuar nga oferta.
Nëse kërkesa e tërësishme (gatishmëria për të shpenzua) e tejkalojnë nivelin normal të prodhimit të ekonomisë (ofertën) në kushtet e punësimit të plotë të kapaciteteve (resurseve), atëherë do të kemi rritje të nivelit të përgjithshëm të çmimeve dhe themi se kemi inflacion të kërkesës. Pra, nëse ekonomia është duke funksionuar në kuadër të punësimit të plotë, atëherë rritja e kërkesës do të ketë për pasojë rritjen e çmimeve, por vetëm nëse është fjala për një vend të zhvilluar që ka ndikim në ekonominë ndërkombëtare, apo për një vend resurset e të cilit janë faktorë ky për zhvillimin normal të ekonomisë ndërkombëtar ( siç janë sot dhjetëra resurse të prodhuara në Ukrainë).
Por, kur është fjala për një vend të vogël ky supozim teorik vlen vetëm për rrethanat e një ekonomie të mbyllur. Ky supozim nuk vlen për ekonominë e Kosovës, së pari për faktin se ekonomia e jonë nuk funksionon në kuadër të punësimit të plotë të faktorëve të prodhimit (mbi 25% e forcës punëtore janë të papunë, kapacitetet prodhuese nuk janë të shfrytëzuara plotësisht…etj.), dhe së dyti, ekonomia e Kosovës është një ekonomi e hapur (liberale) e varur shumë nga importi dhe sado që të rritet kërkesa e brendshme, ajo plotësohet me ofertën që vije nga jashtë.
Një vend i vogël me më pak se 11 mijë km2 dhe më një popullsi prej 1. 7 milion banorë, nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrfarë ndikimi në ndryshimin e çmimeve ndërkombëtare të mallrave dhe shërbimeve. Pra, hedhja eventuale në qarkullim e afro 500 milion eurove para të tërhequra nga Trusti, nuk ka as teorikisht e as praktikisht ndikim në rritjen e çmimeve (inflacion), ngjashëm qysh nuk kanë ndikim shpenzimet qeveritare për investime kapitale, të supozojmë prej 700 milion.
Por një gjë është e sigurt, se tërheqja eventuale e parave nga Trusti dhe hedhja e tyre në qarkullim, ka dhe do të ketë ndikim të konsiderueshëm multiplikues në rritjen ekonomike, pra në rritjen e GDP siç jemi mësuar në zhargonin e përditshëm ta quajmë Bruto Prodhimit të Përgjithshëm.
Por, inflacioni mund të shkaktohet edhe nga oferta përkatësisht kostoja e prodhimit, e që burimin e ka nga rritja e kostos (çmimit) të faktorëve hyrës në procesin e prodhimit, siç është çmimi i energjisë elektrike, derivateve të naftës, grurit, etj. që në instancë të fundit shpie në rritjen e çmimeve të prodhimit, gjë që më pastaj mund të reflektohet në rritjen zingjirore të nivelit të përgjithshëm të çmimeve në ekonominë e vendit. Por edhe këtu duhet pas parasysh se a është fjala për një vend të zhvilluar apo të pazhvilluar, vend i vogël apo vend i madh, ekonomi e hapur apo ekonomi e mbyllur.
Nuk mjafton vetëm me i lexua shpjegimet teorike të Kejnsit. Duke mos dashur me e komplikua më shumë këtë shpjegim, dua të konstatoj se inflacioni me të cilin është duke u ballafaquar ekonomia e Kosovës, por edhe ekonomia e pjesës më të madhe të botës, është e ndërlidhur me inflacionin e kostos. Jemi dëshmitarë se që nga shfaqja e Pandemisë Covid 19, e në veçanti pas invazionit të Rusisë në Ukrainë, kemi shfaqjen e krizës energjetike, rritjen e çmimit të derivateve të naftës, gazit natyror, lëndës së parë në industrinë e ushqimit, etj., që në nivel botëror kanë shkaktuar një valë të tërë të rritjes së çmimeve të të gjitha mallrave dhe shërbimeve.
Duke qenë një vend me ekonomi të hapur (liberale) por të pazhvilluar, të varur shumë nga importi, atëherë duhet të konstatoj se inflacioni i cili është duke e shoqëruar ekonominë e Kosovës, është i ndikuar edhe nga rritja e kostos së faktorëve të prodhimit dhe mallrave dhe shërbimeve të importuara të cilët më pastaj ndikojnë në rritjen e çmimit të prodhimit edhe në vend. Andaj, themi se kemi të bëjmë me inflacion të importuar.
Në këtë drejtim mundësia e ndikimit të Qeverisë është shumë e kufizuar, që lidhet kryesisht me politikat fiskale dhe politikat e kujdesit social, e të cilat duhet të jenë tepër të kujdesshme për të mirëmbajtur nivelin e aktivitetit ekonomik.
Prandaj, në rrethanat e tkurrjes së investimeve, hedhja në qarkullim e afro 500 milion eurove para të tërhequra nga Trusti, mund të jetë në funksion të politikave sociale, por edhe në funksion të politikave zhvillimore. Shpenzimet janë bazë e zhvillimit, përdorimi ekonomik dhe racional i parasë për të nxjerrë vlerën më të lartë për paranë e harxhuar, është çështje për ndonjë debat tjetër.
Pra, inflacion ekzistues në Kosovë është inflacion i ndikuar nga faktorët e kërkesës dhe të ofertës, por kryesisht faktorëve ndikues të importuar, që kanë shkaktuar rënien e vlerës reale të cdo forme të kompensimit duke përfshi edhe pagën. Sot paga nominale është e njëjtë si para dy vite, por paga reale është 30-40% më pak se paga reale e vitit 2019. Kjo nënkupton se fuqia blerëse e qytetarëve ka ra, e bashkë me te edhe mirëqenia dhe standardi i jetës. Andaj në mënyrë të domosdoshme shtrohet nevoja për indeksimin (rivlerësimi) e pagave dhe formave të tjera të kompensimit për nivelin e rritjes së çmimeve të shportës së konsumatorit.
Para disa kohe, Kryeministri i Kosovës duke folur për mundësinë e rritjes së pagave, deklaroj se rritja e pagave do të bëhet vetëm duke u bazuar në produktivitetin e punës. Konstatim shumë i drejtë, por indeksimi (rivlerësimi) për shkallën e inflacionit nuk ka të bëjë asgjë me produktivitetin e punës, thjeshtë është kthim i fuqisë blerëse të humbur punëtorit (qytetarit).
Tek kur do të bëhet rivlerësimi (indeksimi) atëherë mund të flasim për rritjen eventuale bazuar në produktivitetin e punës.
Në fund dua të konstatoj se, të gjitha dilemat lidhur me tërheqjen e kursimeve nga Trusti, sikurse edhe presioni aktual i sindikatave për pagën minimale dhe nxjerrjen e Ligjit për paga, do të shuheshin, sikur qeveria të merrte guximin dhe të indeksonte (rriste) pagat dhe të gjitha dhëniet tjera buxhetore, për nivelin e rritjes së çmimeve (inflacionit). Me këtë veprim nuk bënë asnjë shkelje të parimeve të ekonomisë të lidhura me “kompensimin e bazuar në produktivitetin e punës”. Sigurisht se nuk është as në kundërshtim me kërkesat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, për kompensimet në sektorin publik të bazuar në mundësit buxhetore.
Në çdo tryezë komunikimi, krenohemi se janë rritë të hyrat buxhetore, e si duket po harrojmë ose nuk po e dimi se ato në një pjesë janë rritë si rezultat i taksave të mbledhura nga qytetarët në konsumin e tyre të përditshëm me çmime të inflacionuara. Me indeksim, qeveria ju kthen qytetarëve atë që ju merr në formë të taksave në çmimet e rritura nga inflacioni.
Në këtë mënyrë do të ruhej aktiviteti ekzistues ekonomik, do të mirëmbahej standardi i jetës, do të ruhej fuqia reale blerëse e qytetarëve, me çka do të nisej një spirale e re zhvillimore përmes kërkesës për konsum, që do të nxiste rritjen e prodhimit, kurse kjo punësimit, dhe në mënyrë zingjirore rritjen investimeve e Bruto Prodhimit të Përgjithshëm. Me indeksim, qeveria do të fitonte edhe politikisht në masë.
Duke ndjekur logjikën profesionale, parimisht jam kundër tërheqjes së kursimeve nga Trusti (për çka edhe kam shkruar më parë).
Por, në mungesë të indeksimit të pagave (kthimit të vlerës reale) dhe dhënieve tjera buxhetore për indeksin e rritjes së çmimeve, konsideroj se është e arsyeshme dhe e natyrshme që qytetarët duke ndjekur interesin personal të kërkojnë alternativa tjera, duke përfshi këtu edhe tërheqjen e kursimeve nga Trusti pa marrë parasysh se nga kush dhe nga cila parti ka ardhur propozimi.
Autori është Profesor në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”