Tërheqja e kursimeve nga Fondi i Pensionit nuk do t’i shërbejë komunitetit rom, sepse pothuajse 90% e tyre nuk janë të përfaqësuar në institucione publike dhe nuk do të kenë mundësi të tërheqin para nga Trusti.
Kështu ka thënë deputeti i Kuvendit të Kosovës që përfaqëson komunitetin rom, Erxhan Galushi, duke shtuar se ende nuk kanë marrë një vendim për apo kundër tërheqjes së mjeteve të Trustit. Megjithatë, ai shpreson se kjo tërheqje do të jetë e mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Lidhur me kërkesën e tërheqjes së 30% të Trustit nuk kam ende ndonjë mendim konkret dhe arsyeja e vetme lidhur me këtë është se, unë si përfaqësues i komunitetit rom jam i vetdijshëm se e përfaqësoj një komunitet që e ka gjendjen jashtëzakonisht të vështirë socio-ekonomike dhe pothuajse 90% të komunitetit nuk janë të përfshirë në institucione publik. Dhe nuk besoj se kjo votë e imja do t’i shërbejë komunitetit, sepse shumica prej tyre nuk do të kenë mundësi të tërheqin para nga Trusti. Në përgjithësi, lidhur me këtë nuk jam as PRO as KUNDëR, jam ende duke menduar por shpresoj se kjo tërheqje do të jetë e mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Galushi për GazetaBlic.





