Njësia e Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare “Veriu” në Lluzhan, bazuar në informacionet e siguruara mbi dyshimet për aktivitete kriminale të “kontrabandimit me mallra “ dhe “kalime të paautorizuar të vijës kufitare” nga territori i Serbisë në territorin e Kosovës, ka aktivizuar planin operativ “Befasia”, i cili është realizuar në zonën e Mitrovicës së Veriut.
Gjatë realizimit të planit operativ me datën 24.06.2021, në orën 19:40, në fshatin Ballaban të komunës së Zveqanit, është ndaluar automjeti ‘kombi mercedes’ (ngjyrë e bardhë) me targa të Serbisë të cilin e ngiste i dyshuari (D. B.), mbi dyshimin e bazuar se kishte mallra të kontrabanduara nga territori i Serbisë.
Zyrtarët policorë kanë gjetur: Rreth 770 pako (boksa) cigare me banderola ‘SRB’ të llojeve të ndryshme 770 X 10 =7700 paketime, mbi 1000 palë xhinse dhe 10 palë patike.





