LAJME

Temperaturat e larta rrisin rrezikun nga zjarret, AMMK-ja apel për kujdes maksimal

Temperaturat e larta rrisin rrezikun nga zjarret, AMMK-ja apel për kujdes maksimal
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Gusht 2026, 10:12

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndalojnë çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr të pakontrolluar, veçanërisht gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar nga zjarret.

Gjatë muajve të verës, temperaturat e larta dhe tharja e vegjetacionit krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e shpejtë të flakëve. Zjarret mund të shkaktojnë dëme të mëdha në pyje dhe sipërfaqe bujqësore, të rrezikojnë banesat dhe infrastrukturën, si dhe të dëmtojnë rëndë biodiversitetin dhe cilësinë e ajrit. Në raste të caktuara, përhapja e tyre mund të kërcënojë drejtpërdrejt edhe jetën dhe sigurinë e njerëzve.

Krahas dëmeve në mjedis dhe pronë, shkaktimi i zjarreve në mënyrë të qëllimshme apo nga pakujdesia mund të sjellë edhe pasoja ligjore për personat përgjegjës. Institucionet kompetente mund të ndërmarrin masa ndaj shkaktarëve të zjarreve, varësisht nga rrethanat dhe dëmi i shkaktuar, ndërsa rastet e tilla mund të hetohen nga organet përgjegjëse.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika