Të paktën tetë njerëz kanë vdekur nga përmbytjet e mëdha dhe rrëshqitjet e dheut në rajonin verior italian të Emilia Romagna, me më shumë se 13,000 banorë të cilët janë detyruar të evakuohen, sipas autoriteteve të atjeshme lokale.
Tre persona kanë humbur jetën në qytetin e Forlit, një tjetër në një rrëshqitje dheu në Cesenate dhe një çift i martuar kanë vdekur në fshatin Ronta di Cesena, sipas të pranishmëve në një mbledhje urgjente të Këshillit të Ministrave të mërkurën. Dy të tjerë kanë vdekur gjatë natës.
Presidenti rajonal Stefano Bonaccini ka deklaruar se 3,000 njerëz janë evakuuar nga Bolonja, 5,000 nga Faenza dhe 5,000 të tjerë nga Ravenna.
Rajoni Emilia Romagna, i cili ka vuajtur një thatësirë të zgjatur, është nën alarmin e kuq – paralajmërimi i nivelit më të lartë ose gjendja e jashtëzakonshme për ngjarjet e motit të rrezikshëm për jetën. Çmimi i Madh i Formula 1 Emilia Romagna, i planifikuar për këtë fundjavë, është anuluar dhe vendi është evakuuar.
Katërmbëdhjetë lumenj i kanë shpërthyer brigjet e tyre në rajon, duke i detyruar njerëzit në qytete të tilla si Cesena të ngjiten në çatinë e ndërtesave të tyre për t’i shpëtuar ujit në hyrje, raportoi Reuters. Zjarrfikësit i shpëtuan banorët e atjeshëm me helikopterë ose gomone.
Gjithsej 600 zjarrfikës janë vendosur nga e gjithë Italia për të ndihmuar me evakuimet në rajon pasi lumi më i gjatë i Italisë, Po, doli nga shtrati i tij, thuhet në një njoftim nga Departamenti Italian për Mbrojtjen Civile në një postim në Twitter.
Banorëve në zona të shumta në të gjithë rajonin, përfshirë qytetin e Bolonjës, iu kërkua të mos largoheshin nga shtëpitë e tyre.